Adem Shkreli u lind më 1934, dhe fare i ri u shfaq në periodikun letrar si -Adem Kelmendi. Ishte fare djalosh, kur lexuesit e paramendonin si - "klasik" - së paku - autor me mustakë e thinja. Vjershat dhe tregimet e tij "bredhën" poshtë e përpjetë revistave e gazetave (ende bredhin pa mundur të gjejnë vëllim për t'u rehatuar më në fund!). Ademi pastaj iu qep gazetarisë për tridhjetë e sa vite rresht, dhe nuk është që nuk e bëri "shkallën e vet në lis"! Për tridhjetë e sa vite të gazetarisë, botoi vetëm librin me poezi "Zemra e verbët" (1970). Shkroi edhe drama ("Servus faraon", etj).
Tash jeton në Prishtinë, në pension pa pension, me kujtime e dorëshkrime që ia zënë frymën gjithnjë e më shumë, dhe nuk pret më që ndonjë botues t'i trokasë në derë për hirë të dorëshkrimeve nga "50 vite krijimtari letrare". Jubileu i tij është kundër tij kryekëput dhe ky është një fat autori te ne.




Letra e Bute Bardhit

Eh, loke loke...
T´a dijsh, ti ma e madhja dashni,
Si e ka marrë malli Butën tande
me t´u hjedhë n´qafim...
e n´mendje e zemër
sa t´ka jote bijë,
t´ndiejshe -
tue u betue n´krye tat
si n´shndet e sy..

Si t´kam, malli im:
a të ka thy shum pleqnia
me brenga e njimijë derte
po plaku si asht, e vllazën e motra,
fqijt´e katundi, si janë miq´sia?

Si janë shpatijet e gurët e malit
e lisat e gjatë, kallijt n´arë,
moti si ka marrë te ju,
delet si janë, a ka mjaft barë
e...s´di c´me t´pëvet ma parë -
flakë e djegë prej mallit.